Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka ngritur sot shqetësimet e tij në lidhje me zbatimin e pakos emergjente fiskale, duke thënë se rreth 40 për qind të mjeteve të ndara me qëllim të zbutjes së pasojave nga COVID-19 janë keqpërdorur.

Në një konferencë për media pas takimit me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kryetari Azemi theksoi se pikë e parë e diskutimit ka qenë keqpërdorimet e pagave të punëtorëve.

“40 për qind e mjeteve nuk kanë shkuar te punëtorët. Janë keqpërdorë nga kompanitë për pagat e para të punëtorëve”, tha Azemi.

Kreu i sindikatës tha se këto parregullsi janë adresuar në prokurori. Ai theksoi se ka kërkuar nga ministrja Bajrami që të mos ndodhin keqpërdorime të tilla edhe në ‘rundin’ e dytë të pagave.

Në takim është diskutuar edhe për tërheqjen e mjeteve të Trustit, ku sipas ministres Bajrami nuk do të ketë rimbursim të mjeteve të trustit nga Qeveria.

Azemi në fund ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë rishikimin e buxhetit për zhbllokimin e pakos emergjente fiskale./kp