Babë e birë të dyshuar për dhunë në Kuvend
Kire Gjeorgjievski duket se si e tërheqë zvarrë deputetin Ziadin Sela, në pamjet e publikuara lidhur me dhunën në Kuvend natën e 27 prillit
Ai sot ka përfunduar në pranga bashkë me babain e tij. Ata dyshohen për sulm ndaj deputetit Sela, ndërsa ngarkohen për veprën “pjesëmarrje në turme që kryen vepër penale”.
Sipas komunikatës së policisë, babë e bir kanë hyrë në sallën e Kuvendit numër tre ku kanë sulmuar fizikisht deputetin Sela, që më pas ta tërheqin zvarrë nëpër korridore. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tyre janë gjetur edhe dëshmi materiale, shkruan TV21.TV
“Nga bastisja janë konfiskuar atletet me gjurmë të ngjashme me gjak, veshje dhe tre celularë, të cilat janë marrë si prova materiale. Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve u vërtetua se në sallën 3, ku është mbajtur konferenca për shtyp, personi C. Gj. së pari ka hedhur një karrige, ndërsa personi K. Gj. Ka hedhur sende të ndryshme drejt deputetëve të pranishëm dhe më vonë të dy së bashku e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë tërhequr zvarrë deputetin Z. S.”, thonë nga MPB.
Njëkohësisht, Prokuroria Publike Themelore, ka filluar të marrë në pyetje deputetët e pranishëm në Kuvend më 27 prill kur edhe ndodhi incidenti. Sipas Prokurorisë, deputetët, si palë e dëmtuar do të japin dëshmitë e tyre lidhur me sulmet e protestuesve ndaj tyre.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi që ishte paraqitur në prokurori, kërkon që organet kompetente të japin dënimin e merituar.
“Dhashë të gjitha dëshmitë për ato që kisha parë atë ditë në Kuvend dhe uroj që Prokuroria mos të ndikohet nga politika, por të veproj në përputhje me ligjin dhe të jep dënime në përputhje me atë se çfarë ka ndodhur, që mos të inkurajohet një gjë e tillë edhe në të ardhmen”, tha Grubi.
Nga 27 prilli deri më sot, në bisedë informative janë thirrur dhjetëra persona, me ç’rast ndaj 29 vetave janë shqiptuar padi penale për pjesëmarrje në turmë duke penguar punën e personit zyrtar, kurse për 9 persona janë shqiptuar masë e paraburgimit prej 8 ditësh me akuzën e pjesëmarrjes në turmë ku është ushtruar dhunë fizike ndaj deputetëve./21Media