Bahtiri: Dëshmorët nuk e dhanë jetën për ndarje të Mitrovicës

Vepra dhe jeta e Mehë Ukës do të jetë e paharruar

Mehë Uka është shembulli më i shkëlqyeshëm se si luftohet e vdiset për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Kështu u tha në akademinë përkujtimore të mbajtur në Mitrovicë, në 22 vjetorin e rënies së tij heroike.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se është mirë që organizohen tubime të këtilla përkujtimore, përmes së cilave mund të kujtojnë kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të kombit në luftë për çlirimin e atdheut, sepse kështu, brez pas brezi, do të përkujtohen figurat madhore të historisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

“Sot jemi këtu për të nderuar figurën madhore të heroit Mehë Ukës i cili është shembulli më i shkëlqyeshëm se si luftohet e vdiset për lirinë e pavarësinë e Kosovës si dhe gjithë luftëtarët e tjerë që kapën pushkën ti dalin zot atdheut të tyre. Ne mitrovicasit ndër vite kemi treguar se si mbrohet vendi nga pushtuesit barabarë, luftëtarët tanë kanë qenë të dalluar qysh moti. Kemi edhe luanët e nëntokës të cilët po ashtu kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit tonë. Tani është koha që ti dalim zot Mitrovicës sepse amaneti i luftëtarëve ishte të mbrojmë çdo cepë të kësaj toke. Dëshmorët jetën e tyre nuk e dhanë për ndarje të Mitrovicës e të Kosovës. Shumë familje mbeten pa të dashurit e tyre, dhe janë pikërisht familjarët e dëshmorëve të cilët dhanë anëtarët e tyre më të ngushtë për një të ardhme më të mirë të vendit. Lavdi për jetën dhe veprën e heroit Meh ë Ukës dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, tha Bahtiri.

Në emër të familjes, foli vëllai i Mehë Ukës, foli Rasim Uka, i cili theksoi se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në sallë flet më së miri se Meha është në mesin tonë, ndërsa vepra dhe jeta e tij do të jetë e paharruar. Ai uroi edhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës, një ëndërr kjo e kahmotshme e të gjithë dëshmorëve dhe popullit shqiptar.

Kjo akademi u organizua nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së.

Të pranishëm në këtë akademi ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, komandanti i Ushtrisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë.

Ndërkohë, para akademisë janë vendosur edhe buqeta me lule të freskëta tek shtatorja e heroit Mehë Uka, në qendër të qytetit.

Back to top button