Bahtiri viziton familjen kosovare në spital që u maltretua nga serbët në Veri

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pas situatës në Veri të Mitrovicës, ku sebrët kanë bllokuar rrugët.
Bahtiri ka treguar se pjesëtarë të grupeve serbe me maska kanë ndaluar një familjare kosovare që po shkonte në Zvicër, duke i rrahur edhe ua marrë veturën. Këta qytetarë po kurohen në spitalin e Mitrovicës, të cilët Bahtiri thotës se i ka vizituar dhe fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Situata në veri është e tensionuar për shkak të grupeve kriminale famkeqe serbe të dirigjuara nga Beogradi.
Pjesëtarë të këtyre grupeve serbe me maska kanë ndaluar një familjare kosovare që po shkonte në Zvicër, duke i rrahur edhe ua marrë veturën. Këta qytetarë po kurohen në spitalin e Mitrovicës, të cilët sapo i vizitova dhe fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Tutje ai ka bërë apel te qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që mos “t’iu bashkohen grupeve kriminale në veri dhe të kontribuojnë për qetësimin e situatës”.
Sipas Policise janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. “Disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar të dielën me kamionë me mjete tjera rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – por edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative./21Media

Back to top button