Bajrami-Mujës: Paga u është rritur kryeministrit e ministrave, jo qytetarëve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke thënë se paga i është rritur kryeministrit, ministrave, këshilltarëve, asistentëve e shoferëve të tyre, por jo qytetarëve.

Të shtunën, Muja u shpreh se paga mesatare është rritur në 780 euro gjatë këtij viti.

Kjo po konsiderohet nga deputetja e LDK-së si “gënjeshtër e radhës nga pushteti”.

“Kjo është farsë si vet qenia e partisë në pushtet. Unë pyes qytetarët sa prej jush keni pasë ngritje page 200 euro nga viti 2019 në 2024? Pothuaj asnjë. Sa prej jush paguani çmime me të larta për së paku 50% për secilin artikull të konsumit të përditshëm? Të gjithë. Paga në tri vitet e fundit i është rritë Kryeministrit nga 1 mijë e 450 euro në 2 mijë e 280 euro, ministrave nga 1 mijë e 150 në 1 mijë e 750 euro, këshilltarëve nga 500 euro në rreth 1000 euro, asistentëve dhe shoferëve të tyre. Paga i është shumëfishuar Gani Jakupit që është paguar 7 mijë e 500 euro në muaj, Gazmend Begollit i cili për një konsulencë në KEK ka marrë rreth 27 mijë euro, këshilltarit të ministrit të kulturës i cili paguhet 5 mijë e 560 euro në muaj. Ministri i Kulturës përpos që paguan konsulentë me paga super të larta së fundmi pa fije turpi dha qindra mijëra euro për OJQ që i ka themeluar vetë dhe bashkpartiakët e tij”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Sipas deputetes së LDK-së, gjatë kësaj qeverisje u është rritur fitimi disa kompanive që po marrin tenderë pa konkurrencë, por siç thotë ajo, qytetarët po varfërohen.

“Ndërsa fitimi u është rritë 900 kompanive që pa konkurrencë marrin tenderë sekret, POR qytetarët janë varfëruar, këtë e thonë raportet ndërkombëtare, këtë e thonë qytetarët që në baza ditore përballën me ushqim të me shtrenjtë, derivate me të shtrenjta, çmim të rrymës të dyfishuar e paga të zhvlerësuara nga inflacioni”, ka shkruar tutje ish-ministrja e Financave.

Bajrami ka thënë se qytetarëve paga do t’u rriten vetëm me qeverisjen e LDK-së.

“Programi “Rruga e Re” është alternative e vetme”, shkruhet në postimin e saj.

Back to top button