Bajrami: Nëse mësimi dështon edhe një të shtunë, Nagavci të shkarkohet

Ish-ministrja e arsimit, Hykmete Bajrami ka thënë se Kryeministri i vendit, Albin Kurti “duhet t’i kërkojë përgjegjësi Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci”, pasi zëvendësimi i orëve mësimore të shtuneve nuk u realizua.
“Kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë përgjegjësi Nagavcit për dështimin e zëvendësimit të mësimit, që dy të shtune radhazi Arbërie Nagavci është përgjegjëse pse dështoi edhe këtë të shtunë zëvendësimi i orëve mësimore. Kryepërgjegjësi është Albin Kurti i cili po e toleron një ministre të tallet me mijëra fëmijë e familjes”, shkroi Bajrami në Facebook.
Bajrami tutje tha se nëse zëvendësimi i orëve dështon edhe të shtunën e ardhshme, “Nagavci të shkarkohet nga pozita”.
“Kryeministri duhet t’i kërkojë ministres Nagavci që të arrijë sa më shpejt marrëveshje me prindërit për zëvendësimin e orëve të humbura shkaku i grevës. Nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme zëvendësimi i orëve mësimore atëherë ministres së Arsimit duhet t’i kërkohet përgjegjësi dhe të shkarkohet menjëherë”, shkroi Bajrami.
Bajrami tha se “Partia në pushteti erdhi në Qeveri për t’i zgjidhur të gjitha ”çështjet kombëtare e ndërkombëtare”, por po dështon në ekonomi, shëndetësi, diplomaci e më së shumti po dështon në arsim”./21Media

Back to top button