Bajrami premtoi se politika nuk do të ndërhyjë në punën e universiteteve

Ministrja Bajrami theksoi se do të rishikohet Ligji për Arsimin e Lartë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami sot mori pjesë në konferencën “Universiteti, politika dhe vlerat themelore të arsimit të lartë”, të organizuar nga Konferenca e Rektorëve, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 50-vjetorit të Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajo me këtë rast përgëzoi UP-në për 50-vjetorin e themelimit, ndërsa përmendi kontributin e profesorëve dhe studentëve për ngritjen dhe fuqizimin e UP-së.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, ministrja Bajrami siguroi rektorët se politika nuk do të ndërhyjë asnjëherë në punën e universiteteve, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Bajrami shpalosi edhe programin e Qeverisë së Kosovës për arsimin e lartë, ku ndër të tjera theksoi se do të rishikohet Ligji për Arsimin e Lartë, do të rithemelohet Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe krahas kësaj do të themelohet dhe fuqizohet Fondi Kombëtar i Shkencës, e po ashtu edhe Fondi i Ekselencës.

Duke qenë se tashmë ministrisë i është bashkëngjitur edhe Inovacioni, ministrja Bajrami theksoi se do të punohet bashkë me UP-në dhe universitetet tjera për ta fuqizuar inovacionin në vendin tonë, pasi, siç u shpreh ajo, në këtë mënyrë përmbushet objektivi që idetë inovative dhe hulumtimet shkencore të vihen në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatik.

Back to top button