Bajrami, VV-së: Radoiçiqit i keni krijuar korridor në pikë dite – sot po i luani patriotët, hipokrita

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas moscertfikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami i tha VV-së se hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmin, hapjen e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike s’mund t’i mbulojnë me Serbinë, urat dhe as me Listën Serbe.
“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike, NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe. Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Sot po i luani patriotët – hipokrita! “, ka shkruar Bajrami.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot mori vendim me 7 abstenime, dy vota kundër e dy për që të mos i certifikojë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?