“Ballkani i Hapur”Maqedonia e Veriut në Beograd do të prezantojë 300 lloje të verërave-rakive dhe ushqime tradicionale

Nën patronazhin e qeverive të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si pjesë e nismës “Ballkan i Hapur”, që sot deri më 4 shtator në Beograd fillon Panairi i parë ndërkombëtar për verë, ushqim dhe turizëm “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur”, i organizuar në kuadër të Nismës Ballkani i Hapur.
Panairi zyrtarisht do të hapet në orën 13 në Panairin e Beogradit, Salla 1, në prani të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pjesëmarrjen në Panair e kanë paralajmëruar më shumë se 330 ekspozues nga 22 vende, nga të cilat 160 janë ekspozues nga Serbia, 26 nga Shqipëria dhe 47 nga Maqedonia e Veriut. Përveç shteteve anëtare të Ballkanit të Hapur, priten ekspozues nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Rumania, Molldavia, Afrika e Jugut.
Në Panair do të ketë blerës nga BE-ja, SHBA-ja, Kina dhe nga vendet lindore. Gjithsej 300 metra katrorë janë rezervuar për turizmin.
Përveç pjesës promovuese të panairit është paraparë edhe pjesa politike – samit i liderëve të vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur. Në samit, i cili sipas Programit duhet të mbahet nesër në Pallatin Serbia pritet të nënshkruhen edhe tri dokumente për bashkëpunim në sferën e ushqimit, kulturës dhe mbrojtjes civile.
Në samit është paralajmëruar edhe prania e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviq dhe të kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegetlia si edhe e ministrave të Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe Turqisë, Peter Siarto dhe Mevlut Çaushogllu.
Pas samitit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat Kovaçevski dhe Rama do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi.
Nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë 42 kantina dhe 3 distileri, të cilat do të prezantojnë më shumë se 300 lloje të ndryshme të verërave dhe rakive të vendit, prodhues ushqimesh nga Maqedonia e Veriut, duke prezantuar kuzhinën autentike maqedonase.
Është paraparë edhe mbajtja e “Mbrëmjes maqedonase”, nikoqir i së cilës do të jetë kryeministri Kovaçevski. Në “Mbrëmjen maqedonase” para përfaqësuesve të bashkësive të biznesit dhe qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të promovohen verërat e Maqedonisë, ushqimi, muzika dhe turizmi, ndërsa për pjesën muzikore është angazhuar virtuozi Vllatko Stefanovski.
“Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në Panairin për ekonominë vendore do të thotë sigurim i eksporteve, blerjeve dhe plasimeve dhe tregjeve të reja për ushqimin dhe verërat e vendit, promovimin e kapaciteteve turistike dhe tërheqjen e mysafirëve të rinj nga rajoni dhe më gjerë”, tha kryeministri Kovaçevski në konferencën për shtyp javën e kaluar.
Sipas programit, samiti i liderëvet do të fillojë me një takim plenar të zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministrave të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Shqipërisë. Gjithashtu janë planifikuar takime të liderëve me Iniciativën për Investime në Ballkan të Hapur, si dhe një takim i Grupit të Menaxhimit të Krizave të Ushqimit dhe Energjetikës.
Për të tre dokumentet që pritet të nënshkruhen në të njëjtën ditë – një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mekanizmave të sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor, një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive, si dhe një plan operacional në fushën e mbrojtjes civile, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë ka miratuar raportet për negociatat e përfunduara dhe tekstet e përcaktuara që do të finalizohen gjatë vizitës së delegacionit të vendit në Beograd./TV21

Back to top button