Bankat shkollore mbetën të zbrazëta, 1 shtatori doli të jetë më 1 tetor

 

Shkollat nëpër Evropë dhe Ballkan si zakonisht e filluan vitin shkollor më 1 shtator. Qëndrimi në shkolla tashmë nuk është i njëjtë. Ka një seri rregullash dhe rekomandimesh për shkak të koronavirusit. Larja e duarve, mbajtja e maskave, mbajtja e distancës, janë vetëm një pjesë e masave që nxënësit do të duhet të respektojnë gjatë kohës së qëndrimit në shkolla.

Në shkollat e Italisë do të vendosen banka për 1 nxënës. Maska do të duhet të mbahet gjatë hyrjes dhe daljes nga shkolla, por jo edhe gjatë orës së mësimit. Në Spanjë do të jetë e domosdoshme shkuarja në shkollë dhe të gjithë fëmijët të moshës mbi 6 vjeç do të duhet të mbajnë maska dhe të lajnë duart 5 herë në ditë. Temperatura do tu matet çdo ditë. Franca sot i hapi shkollat dhe të gjithë nxënësit të moshës mbi 11 vjeçe do të duhet të mbajnë maska në çdo rast. Prezenca në mësim është i domosdoshëm. Ky 1 shtator te ne është më ndryshe.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan se viti shkollor do të fillojë më 1 tetor. Dikush do të ndjek mësimin në shkollë, dikush para kompjuterit. Prindërit dhe nxënësit me qëndrime të ndryshme për mënyrës sipas së cilës duhet të zhvillohet mësimi. Autoritetet qetësojnë se me respektimin e rekomandimeve do të ketë rezultate pozitive.

“Kjo situatë nuk është zgjedhje, është domosdoshmëri dhe është në interes të shëndetit dhe asgjë tjetër. Kjo duhet të kuptohet dhe respektohet nga të gjithë. Gjendja nuk do të zgjasë përgjithmonë, ne po i afrohemi tejkalimit të kësaj gjendjeje, gjetjes së një vaksine dhe kështu gradualisht kthimit në normalitet, por deri atëherë duhet të mësohemi me të gjitha këto rregulla të reja të jetës, punës, shoqërimit dhe të mësuarit. Gjithçka mund të kompensohet, por shëndeti dhe jeta jo”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ministrja e arsimit, Milla Carovska kumtoi se viti shkollor mund të fillojë me modelin e kombinuar dhe se çdo kund ku ekzistojnë kushte, mësimi do të realizohet me prezencë fizike.

“Ne u japim komunave dhe shkollave mundësinë për të organizuar mësim përmes internet në shkollat ​​ku nuk plotësohen kushtet e parashikuara me protokollin për prezencë fizike në shkolla. Për realizimin e suksesshëm të mësimit në distancë, janë përshpejtuar punët në krijimin e një platforme të vetme nacionale në internet që do ta prezantojmë në opinion shumë shpejt. Sidoqoftë, plani ofron një mundësi për fillimin e mësimit edhe për praninë fizike të nxënësve, pavarësisht nga mosha ose klasa, fillor apo i mesëm kudo që lejojnë kushtet e hapësirës dhe është në përputhje me protokollet”, deklaroi Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Prindërve u mbetet një muaj për të përgatitur fëmijët e tyre për shkollë. Nxënësit që do të ndjekin mësim me prani fizike do të duhet të mësohen me protokollet sipas vendimit të fundit të Qeverisë. Matja e temperaturës në hyrje, distanca midis fëmijëve dhe mësuesve, kontrolli dhe disiplina gjatë shkuarjes në tualet janë vetëm disa nga protokollet e reja që do të jenë një sfidë e madhe për stafin e shkollës dhe fëmijët.

Ndërkaq Qeveria sot vendosi që më 9 shtator të hapen çerdhet, raporton TV21./21Media

Back to top button