Basha nuk pranon zgjedhjet: Rezultati i 25 prillit nuk do të njihet kurrë

 

Gjatë takimit të sotëm me strukturat e Durrësit, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se 25 prilli është një masakër elektorale dhe PD nuk do t’i njohë zgjedhjet.

Basha shprehet se gjatë fushatës elektorale u përdor administrata dhe u keqpërdor thesari i shtetit.

“25  prilli është një masakër elektorale ku vullneti i  zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin. ”

Zoti Basha shprehet se beteja e PD vazhdon deri në përmbysjen e  regjimit Rama-Doshi.

Basha: “Të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës  së  Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediat ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve  në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhëtia dhe braktisja e Edi Ramës.

Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE tek Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë dosjet e të cilave dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit.

25  prilli është një masakër elektorale ku vullneti i  zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin.

Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi. “./oranews

Back to top button