Bashkimi shënon fitore me rezultat të thellë ndaj Dritës

Bashkimi shënoi fitore ndaj Dritës me rezultat të thellë 105:54 (22:10, 30:18, 21:20, 32:6), në kuadër të javës së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra prizrenase dominoi nga fillimi deri në fund dhe shënoi fitore të merituar, ndërsa gjilanasit mbeten skuadra e vetme pa fitore në elitën e basketbollit.
Basketbollistët e Bashkimit e nisën ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 22:10. Ata vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, ku shkuan në pushim me rezultat 52:28.
Lojë e barabartë u zhvillua vetëm në periudhën e tretë, që përfundoi 21:20, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 73:48. Në dhjetë minutat e fundit, prizrenasit thelluan edhe më shumë epërsinë për të triumfuar me rezultat 105:54.
Te Bashkimi u dalluan: Andi Shehu me 22 pikë e nëntë kërcime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë e pesë asistime, kurse te Drita u dallua Isiah Johonson me 13 pikë e 10 kërcime.
Bashkimi ka katër fitore dhe tri humbje, ndërsa Drita shtatë humbje në shtatë ndeshje./21Media

Back to top button