14-vjeçarja shqiptare fitoi çmimin e parë në “Golden Star Kids International”

Me një zë brilant dhe një performancë të shkëlqyer Albana Bajraktari ia doli të renditet e para mes 30 konkurrentëve në edicionin e katërt të Golden Star Kids International, të mbajtur këtë tetor në Turqi.
14-vjeçarja shqiptare, mori çmimin e parë për kanto, teksa u vlerësua pozitivisht edhe në gjini të tjera.
Me kurorën e çmimit në kokë dhe flamurin shqiptar në supe, Albana u prit ashtu si fituesit e meritojnë.
Ajo tregoi vështirësitë e një garë ku pjesë ishin talente nga shumë shtete të botës.
“Jam akoma e shokuar se nuk e prisja. Kam punuar shumë me këngët për ta paraqitur Shqipërinë ashtu siç doja, ndihem jashtë mase e nderuar që më ka rënë mua shansi t’ia dhuroj Shqipërisë për herë të parë këtë titull”, tha 14-vjeçarja.
Muzika dhe veçanërisht kanto është pjesë e pandarë e jetës së saj.
“Unë nuk jetoj dot pa kanto, është pasioni im, e ardhmja ime, ajo me çfarë jetoj unë”, u shpreh Bajraktari.
Kjo është hera e parë që Shqipëria triumfon në Golden Star Kids International, ndërsa Albana Bajraktari premton se përmes talentit të saj do t`i dhurojë vendit të tjera çmime./oranews

Back to top button