Kaloni te përmbajtja kryesore

Bastisje në Leposaviq e Vushtrri, Policia sekuestron arsenal armësh

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë automatike AK-47, municion, një pistoletë me gaz, dy bomba tymuese dhe një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia” gjatë një aksioni të zhvilluar në Leposaviq dhe Vushtrri.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar më 8 korrik 2026 nga zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me zyrtarët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, pas informacioneve se një person me inicialet A.A. (1997), me vendbanim në Leposaviq, posedonte armë ilegale.

“Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë kryer kontroll në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe një lokacion në komunën e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrolleve, Policia ka bërë të ditur se janë gjetur dhe sekuestruar një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”, dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, një armë e gjatë AK-47, si dhe një karikator i mbushur me 30 fishekë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar nga autoritetet, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve ilegale dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button