BE anulon 28 milionë euro për Portin e Durrësit

Bashkimi Evropian ka anuluar projektin financiar prej 28 milionë eurosh si pjesë e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit.
Vendimi i BE ka ardhur në një moment kur qeveria po kalon në parlament në mënyrë të përshpejtuar një projekt të ri për Portin e Durrësit.
Ai është kontestuar nga opozita si afere korruptive që synon pastrimin e parave nga pushtetarët dhe klientët e qeverisë përmes kompanive offshore.
Siç shihet dhe në faqen zyrtare të “Western Balkan Investment Framework” projekti ka statusin “ I anuluar”.
Në bazë të ketyre granteve synohej të rehabilitoheshin kalatat 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit.
E para u ndërtua në vitin 1972 dhe e dyta midis viteve 1945 dhe 1951. Disa rehabilitime u kryen në vitin 1994.
Projekti siç thuhet në faqen zyrtare të fondit për investimet, parashikonte fazën e studimit të fizibilitetit me afat vitin 2019.
Projekti synon rehabilitimin e lidhjes hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, duke sjellë në përfundim të saj krijimin e një seksioni të rëndësishëm multimodal si pjesë e korridorit të rrjetit bazë të transportit, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Kroacinë dhe Italinë.
Përveç kësaj, ata do t’i ofrojnë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut akses në rrugët e transportit detar.
Pak ditë më parë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i kërkoi sqarime Brukselit zyrtar mbi planin e qeverisë për transformimin e portit të Durrësit që parashikon dhe marinën e jahteve me argumentin se bie ndesh me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit./oranews

Back to top button