Arrihet marrëveshja për targat, Borrell fton palët për diskutim të hapave të ardhshëm

(Lajm i përditësuar)
22:23 – Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.
Ai tha se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, shtoi tutje ai.


21:02 – Biseda intensive në Bruksel, ende nuk ka një rezultat
Nga Brukseli bëhet me dije se bisedimet do të vazhdojnë deri natën vonë. Takimi trepalësh ka zgjatur dy orë, kurse pas pushimit po vazhdon takimi i Lajçak me Bislimin dhe Petkoviq.
Këshilltari i Bislimit, Klisman Kadriu për portalin rtv21.tv ka thënë se për momentin nuk ka diçka të re.
“Takimet e bisedimet vijojnë. Nuk ka ndonjë të re momentalisht”, ka thënë Kadiu.
16:37- Lajçak pret në takim Bislimin e Petkoviqin, shpreson të arrihet një marrëveshje
Takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq në Bruksel, ka filluar. Këtë e ka bërë të ditur, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak përmes një postimi në “Twitter”.
Ai ka thënë se shpreson që të arrihet një zgjidhje sot për të de-përshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Sot po pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i takimit tonë të nivelit të lartë. Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të depërshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.
Takimi është duke vazhduar.
Takimi po zhvillohet dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e ka fajësuar sidomos Kosovën për mosarritje të marrëveshjes.


13:18- Stano: Bislimin dhe Petkoviqin i ftuam për një rrugëdalje nga situata aktuale
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, shkuan në Bruksel me ftesë të institucioneve evropiane.
Ai ka thënë sot në konferencën për media se BE-ja pret nga dy shtetet që në frymë evropiane të dalin nga situata, që sipas tyre, paraqet krizën më të madhe ndër vite mes dy shteteve.
“Unë mund të ju konfirmoj se Bashkimi Evropian i ka ftuar për takim të dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të vijnë në Bruksel. I kemi marrë konfirmimet e tyre që do të jenë këtu sot. Në fund të gjejmë një rrugëdalje nga situata aktuale, në frymë evropiane”, ka thënë Stano./21Media

Back to top button