BE dhe NATO bashkëpunojnë ngushtë në Kosovë
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në Bruksel se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe NATO-s, në kontekstin aktual strategjik është më i rëndësishëm dhe më relevant se kurdoherë.
Stano tha se në shembuj praktik bashkpëunimi ndërmjet dy institucioneve është parë në pjesën veriore të Kosovës në periudhën e fund vitit të kaluar kur BE-ja dhe NATO janë koordinuar ngushtë në terren.
Stano foli për një deklaratë të re të përbashkët ndërmjet BE-së dhe NATO-s që pritet të nënshkruhet për zhvillimin e partneritetit të përbashkët.
Afro 4000 trupa paqeruajtëse të NATO-s janë të vendosur aktualisht në Kosovë dhe disa qindra pjesëtarë të Policisë së EULEX-it kanë marr përgjegjësinë për sigurinë ne veriun e Kosovës në një periudhë tensionesh me barrikada në veri.
Stano tha se përveç në Kosovë, BE dhe NATO bashkëpunojnë ngushtë edhe kur bëhet fjalë për agresionin rus ndaj Ukrainës.
“Nuk është e fshehtë në kontekstin tonë aktual startegjik se bashkëpunimi i BE-së me NATO-n është shumë më i rëndësishëm dhe më relevant se kurdo. Ne e kemi parë këtë në shembujt praktik në terren dhe e fundit nga kjo ishte në pjesën veriore të Kosovës në periudhën ndërmjet Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kur BE-ja dhe NATO-ja janë koordinuar ngushtë në terren. Ne bashkëpunojmë dhe koordinohemi ngushtë kur bëhet fjalë për agresionin jo ligjor të Rusisë kundër Ukrainës. Është me rëndësi që nënshkrimi i kësaj deklarate të re të përbashkët të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stano./21Media