BE ia dorëzon “propozimin e fundit” Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian (BE) ka dorëzuar në Kosovë e Serbi versionin e fundit të propozimit më të ri në tavolinën e dialogut, këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell në Samitin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Borrelli ka thënë se BE-ja ka dorëzuar “versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë”.
Borrell ka thënë se propozimi i mbështetur nga Gjermania dhe Franca është dorëzuar të hënën në Serbi, e në Kosovë një ditë më pas.
“Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, ky është një moment i rëndësishëm, mosmarrëveshja për targat ka përfunduar tashmë duhet të angazhohen mirëfilli në dialog me propozimin që është hedhur në tryezë dhe mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës.Teksti i fundit u është dërguar dje Beogradit dhe Kosovës dhe janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze pasi janë ata që kanë një mundësi të madhe”, tha ai.
Propozimi i fundit që është diskutuar në dialogun Kosovë – Serbi është propozimi i njohur si “franko-gjerman”, për të cilin është thënë se është propozim i BE-së, i mbështetur nga dy shtetet. Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se ka pasur dakordim që për këtë propozim palët të arrijnë marrëveshje deri në mars të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, Borrelli e Lajçaku kanë refuzuar të japin afate./21Media

 

Back to top button