BE-ja fton serbët të votojnë dhe të regjistrohen

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët në Kosovë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që ka filluar, ndërsa për serbët në katër komunat veriore ka kërkuar që të dalin edhe në votimet e thirrura për shkarkimin e kryetarëve të komunave.

Veç kësaj  BE ka shprehur keqardhje për thirrjet që ka bërë Lista Serbe dhe përfaqësuesit tjerë të serbëve të Kosovës, për bojkotimin e votimit dhe të regjistrimit.

Ndërsa Listën Serbe, BE-ja, e ka ftuar që të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos marrë pjesë në votimet e thirrura për 21 prill.

“BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos merr pjesë në votimet e planifikuara për 21 prill në katër komunat veriore. Kjo pason bojkotimin e zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023”, thuhet në qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe përsëritet se zgjedhjet e prillit 2023, “edhe pse ishin në përputhje me kornizën e Kosovës, nuk ofruan një zgjidhje politike, pasi bojkoti nga serbët rezultoi me pjesëmarrje shumë të ulët”.

BE-ja ka shprehur keqardhje edhe për thirrjet për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga ana e përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës.

Back to top button