BE-ja i kërkon Izraelit të mos e kufizojë ndihmën humanitare për qytetarët në Gaza

(Lajm i përditësuar)


BE-ja i kërkon Izraelit të mos e kufizojë ndihmën humanitare për qytetarët në Gaza

Komisioni Evropian ka njoftuar se një aeroplan i dytë mallrash me furnizime thelbësore humanitare do të aterojë sot në Egjipt dhe i bëri thirrje Izraelit të mos vendosë asnjë kufizim në sasinë, destinacionin dhe kategoritë e artikujve që do t’u dërgohen njerëzve në nevojë.

“Nëse bashkojmë ngarkesat e fluturimeve nga e hëna dhe atë që do të shkojë sot, flasim për 54 apo 56 tonë, më tepër për furnizime esenciale humanitare. Këtu përfshihen gjërat higjienike, materialet sanitare, por edhe ushqimi, uji dhe gjëra për strehim”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari.

Ai, gjithashtu, përshëndeti njoftimin e bërë nga Izraeli se nuk do t’i bllokojë dërgesat e artikujve thelbësorë humanitarë, por paralajmëroi se çdo kufizim në këto dërgesa nuk do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Më shumë se 1 milion palestinezë, afërsisht gjysma e popullsisë së Gazës, janë larguar nga shtëpitë në veri dhe në qytetin e Gazës pasi Izraeli u kërkoi atyre që të evakuoheshin.


Të paktën 3.785 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze të enjten.

Një deklaratë e ministrisë tha se mbi 12.000 njerëz janë plagosur gjithashtu në sulm.

Ministria tha se numri i të vdekurve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar mbërrin në 69, ndërsa 1.300 të tjerë u plagosën.

Izraeli ka nisur sulme ajrore pa ndalesë në Rripin e Gazës pasi Hamasi sulmoi qytetet kufitare izraelite.

Më shumë se 1.400 izraelitë u vranë në sulmin e Hamasit. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”.


Izraeli arreston 63 të dyshuar “operativë terroristë të Hamasit”

Forcat izraelite të sigurisë arrestuan 63 të dyshuar “operativë të terrorizmit” të Hamasit në operacionet ushtarake që panë më shumë se 80 persona të arrestuar në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë natës, tha IDF në një deklaratë të enjten.

“Pas aktivitetit të gjerë kundër terrorizmit gjatë natës në Jude dhe Samari [emrat biblikë hebrenj për Bregun Perëndimor], u kapën mbi 80 të dyshuar të kërkuar, duke përfshirë 63 operativë të terrorizmit të Hamasit,” tha ai.

Forcat izraelite vazhdojnë të operojnë në kampin e refugjatëve Nur Shams, ku pesë persona u kapën, shtohet deklarata.

Në Qibya, IDF tha se forcat izraelite kishin shkatërruar rezidencën e një njeriu që pretendonte se ishte “një terrorist i Hamasit” përgjegjës për një sulm që vrau një ushtar izraelit në korrik.

Një palestinez u qëllua në përleshjet me forcat izraelite në qytetin Burdus, tha ai.


Palestinezët raportojnë për viktima nga sulmet izraelite në Gazë

Një mjek në një spital në jug të Rripit të Gazës tha se të paktën 12 persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror të kryer nga Izraeli, që goditi një zonë të banuar në qytetin Han Junis.

Mjeku Mohammed Qandeel tha se në spitalin Nasser në Han Junis janë pranuar pacientë mëngjesin e 19 tetorit. Ky qytet ndodhet brenda zonës që Izraeli e ka cilësuar si të sigurt dhe ka inkurajuar banorët nga veriu i Gazës që të evakuohen.

Ekipet e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të shpëtuar banorët që besohet se janë bllokuar nën rrënoja të ndërtesës së shkatërruar.

Ndërkaq, Salam Marouf, kreu i zyrës për media i autoriteteve palestineze në Gazë tha se Izraeli vazhdimisht po bombardon Gazën dhe furrat e bukës, përderisa palestinezët presin në radhë për bukë, duke shkaktuar numër të lartë të viktimave.

Sipas tij, Izraeli duke shënjestruar furrat e bukës po tenton të përkeqësojë situatën humanitare dhe “t’ua bëjë më të vështirë njerëzve që të sigurojnë bukë”. Mbi pesë furra të bukës janë shënjestruar në zona të ndryshme në veri dhe jug të Gazës, tha Maarouf.

Back to top button