BE-ja kërkon zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse në veri

Ditën kur qeveria do të duhej ta miratonte udhëzimin administrativ që u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se duan zgjedhje të shpejta, pa parakushte e gjithëpërfshirëse. Por, ata nuk kanë dhënë një vlerësim përkitazi me rrugën që ka zgjedhur qeveria drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe as nëse kanë marrë garanci në Beograd se serbët nuk do t’i bojkotojnë ato

Zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse ku marrin pjesë edhe serbët në veri kanë kërkuar zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE), kur janë pyetur nëse pajtohen me rrugën që ka zgjedhur qeveria për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, përmes peticionit qytetar për largimin e kryetarëve aktualë.

Qëndrimin e kanë dhënë pas takimit që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Por, në Bruksel nuk kanë treguar nëse kanë marrë garanci nga Vuçiqi se nuk do t’i thërrasë serbët për bojkot.
“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Referuar procedurave të përcaktuara, serbëve do t’u duhet që t’u drejtohen dy herë kutive të votimit – një herë për t’i larguar kryetarët aktualë e më pas edhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Stano e ka përsëritur se zgjedhjet në veri duhet të mbahen në përputhje me dakordimin e arritur për shtensionimin e situatës.

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, ka theksuar ai.

Qëndrimi i BE-së është dhënë një ditë pasi qeveria e shtyu për disa ditë miratimin e udhëzimit që i hap rrugë peticionit.

Back to top button