BE-ja mirëpret vendimin për targat: Hap pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe për të shfuqizuar plotësisht regjimin e afisheve.

Në një deklaratë të lëshuar për media, Borrell ka thënë se ky është një hap pozitiv drejt rrugës për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Ky vendim tregon se është i mundur arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Borrell.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, tutje ka shtuar ky përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit.
Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.

Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Back to top button