BE-ja nuk i reagon Serbisë që votoi kundër Kosovës në KiE

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit për normalizim të marrëdhënieve ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit. Por, BE-ja nuk ka një reagim ndaj Serbisë për shkeljen e pikës 4 të marrëveshje ku flitet për mos pengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, e quan fatkeqësi që BE-ja nuk ka reagim ndaj Serbisë.

Bashkimi Evropian nuk i ka reaguar Serbisë për shkeljen e nenin katër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me rastin e votës kundër Kosovës në fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për RTV21 ka thënë se presin nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit. Sipas tij i takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin në të.

“Këshilli i Evropës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj. Vumë re se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka diskutuar dhe miratuar këtë javë draft opinionin statutor për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të përgatitur nga raportuesja znj. Dora Bakoyannis. Pavarësisht nga diskutimet e KiE; në Dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës. Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”, tha Stano për rtv21.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se nuk është hera e parë që Serbia e shkelë marrëveshjen. Madje, siç thotë, përveç votës kundër dhe një fushate agresive, kishte edhe kërcënime ndaj atyre shteteve që ishin në favor për Kosovën, por e quan fatkeqësi që nuk ka një reagim të BE-së ndaj Serbisë.

“Të gjitha këto janë publike dhe shihen nga ndërmjetësit dhe nuk ka një reagim. Por kjo është e qartë për të gjithë se palët nuk e trajtojnë njëjtë këtë marrëveshje”, tha Ahmeti për rtv21.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK, Ariana Musliu, kërkon nga Qeveria angazhim në kryerjen e detyrave që i takojnë. Sipas saj, Serbia po e merr përgjigjen e faktorit ndërkombëtar duke e mbështetur Kosovën.

“Që Serbia nuk i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare kjo nuk është risi. Ne duhet të angazhohemi në detyrat që i kemi si shtet”, tha Musliu.

Pavarësisht fushatës së Serbisë kundër Kosovës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, është optimist se Kosova do t’i kalojë edhe dy fazat e tjera për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ne Asamblenë Parlamentare besoj së do t’i kemi votat e nevojshme. Situata do të jetë edhe më e mirë edhe në Këshillin e Ministrave” , tha Ahmeti.

Në muajin prill në Asamblenë Parlamentare do të jetë faza e dytë e votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës./RTV21/21Media

Back to top button