BE ka rënë dakord për një karikues të përbashkët për pajisjet elektronike

BE-ja po punon për një projektligj që propozon një karikues standard për të gjithë telefonat inteligjentë, tabletët, kamerat dixhitale, kufjet, altoparlantët portativë dhe konzolat e lojërave video.
Të mërkurën, vendet anëtare ranë dakord për një qëndrim të përbashkët rreth një karikuesi të vetëm për pajisjet elektronike, mbi bazën e të cilit do të negociojnë me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar të ligjit.
Propozimi synon të sigurohet që nuk është më e nevojshme të blini një karikues të ri sa herë që blini një telefon të ri celular ose një artikull të ngjashëm dhe që të gjitha pajisjet të mund të rikarikohen duke përdorur të njëjtin karikues, transmeton rtv21.tv.
Me këtë ligj të ri, shitja e karikuesve do të ndahet nga shitja e pajisjeve elektronike, në mënyrë që të mos përfshihet domosdoshmërisht një karikues i ri kur blini një pajisje të re. Kjo do të reduktojë mbetjet elektronike që lidhen me prodhimin, transportin dhe asgjësimin e karikuesve.
Propozimi për një karikues të përbashkët u paraqit nga Komisioni Evropian më 23 shtator 2021./21Media

Back to top button