​Ministri thotë se 130 mjekë e 160 infermierë janë infektuar me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se përkundër rritjes së shpejtë të rasteve pozitive me COVID-19, numri i të hospitalizuarve vazhdon të jetë i ulët dhe i menaxhueshëm, teksa ka ngritur si shqetësim numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar me këtë virus.
“Sipas të dhënave të SHSKUK-së dhe QKUK në të gjitha spitalet tona janë trajtim 181 pacientë prej tyre 149 me COVID të konfirmuar dhe vetëm dy në kujdesin intensiv. Unë pajtohem sërish dhe plotësisht me kolegun tim Dreshaj që ne duhet të rritim numrin dhe kualitetet e shërbimeve të kujdesit intensiv në Kosovë. Elementi i tretë që ne jemi duke u bazuar është numri i punëtorëve shëndetësorë të infektuar me COVID, përkatësisht aftësia e sistemit shëndetësor t’i përballojë një fluksi të madh të mundshëm. Sipas të dhënave të djeshme, ne kemi pasur mbi 130 mjekë dhe 160 infermierë të infektuar, por në bazë të evidencës me omicron dhe praktikave të menaxhimit që filloi në SHBA, ne e kemi shkurtuar afatin në punë në pesë ditë nëse janë pa simptoma klinike”, ka thënë ai.
Tutje, ministri ka theksuar se Kosova radhitet e dyta për numrin e lartë të testimeve.

Latifi ka kërkuar nga deputetët që të diskutojnë për transformimin e shëndetësisë kosovare në të ardhmen, ku në qendër të vëmendjes do të jetë pacienti./21Media

Back to top button