BE me Kosovën dhe Serbinë nis zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Në ditët në vijim, institucionet e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e liderëve të BE-së, do të ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit së bashku me Kosovën dhe Serbinë, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE), Peter Stano.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, tha se Beogradi dhe Prishtina janë të obliguar kontraktualisht të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin, dhe bëri të qartë se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të braktisin rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Stano përkujtoi se Borrell kishte deklaruar se do t’i “këshillojë të dyja palët në kryerjen e punës së tyre” në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë aneksin zbatues.

Zëdhënësi i KE-së nënvizoi se “tashmë do të jetë në rrezik reputacioni dhe besimi ndërkombëtar në Kosovë dhe Serbi, ndaj duhet të tregohen si partnerë të besueshëm për BE-në dhe prandaj është e nevojshme të zbatohet ajo që kanë premtuar”.

Ai për agjencinë Beta theksoi se dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit do të inkorporohen në kapitullin 35 të negociatave BE-Serbi për anëtarësim dhe programin e Grupit Special të BE-së për normalizimin me Kosovën.

Stano vuri në dukje se Borrell i informoi liderët e BE-së për bisedimet në Ohër javën e kaluar dhe tha se Kosova dhe Serbia tani duhet të vënë në praktikë atë për të cilën kanë arritur një marrëveshje.

Dhe, siç theksoi ai, Borrell edhe një herë prezantoi se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e marrëveshjes së Ohrit është i pavlefshëm dhe gjithçka që ka ndodhur në dialogun e deritanishëm ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet me shkallën e zbatimit të tij, jo me nënshkrim”./21Media

Back to top button