BE: Puna për formimin e Asociacionit duhet të nisë pa shtyrje a parakushte

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte.

Nëpërmjet një komunikate për media të publikuar të martën në mëngjes, Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët sivjet. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së me kërkesat për Kosovën dhe Serbinë.

“BE-ja ua kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet tutje në letër.

BE-ja ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e përparimit nga palët në shtensionimin e situatës në veri.

“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri tash mbesin të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”, thuhet në letrën e BE-së.

“Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – përfshirë shpronësimet në veri, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimi i forcave speciale të policisë për detyrat policore në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikon të kontribuojë në rritjen e mëtejme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të Policisë së Kosovës/popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit për energjinë nga Serbia, si dhe përpjekjet tjera që nuk janë në vijë me Marrëveshjen për normalizim dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e dialogut”, thuhet në letrën e Bashkimit Evropian.

BE-ja ka përsëritur se kërkesat e 3 qershorit mbesin të vlefshme e se masat e ndërmarra, përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.

“BE-ja është e gatshme t’i heqë masat në rast të përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në letër.

Bashkimi Evropian ka përsëritur se është e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, të të gjitha niveleve qeverisëse, në Kosovë e Serbi, të angazhohen me konstruktivitet në procesin që shpie në zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës, që të shmangin hapat e mëtejmë të eskalimit dhe të përkrahin përparimin në dialog”, thuhet në letër.

BE-ja u ka ofruar mbështetje të plotë Josep Borrellit dhe emisarit Miroslav Lajçak.

Duke ua kujtuar Kosovës e Serbisë se rruga drejt BE-së është përmes dialogut dhe normalizimit të raporteve, BE-ja ka shtuar se “të dyja rrezikojnë humbjen e mundësive për përparim në rrugën evropiane”.

Më 14 shtator, Kosova dhe Serbia patën takimin e fundit në kuadër të dialogut. Nuk pati asnjë rezultat nga takimi i ndërmjetësuar prej Lajçakut dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell. Kryeministri Albin Kurti ka propozuar një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët, ndërsa është ankuar se Serbia dhe ndërmjetësit kanë insistuar vetëm në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të hënën, ai ka akuzuar Lajçakun se po mban anë. Ndërsa nga Bashkimi Evropian kanë thënë se kanë propozuar “një marrëveshje kompromisi, duke shtuar se kjo është refuzuar nga Kurti e është pranuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Back to top button