Ndalohen për 48 orë dy të dyshuarat për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin në Fushë Kosovë

(Lajm i përditësuar)


Ndalohen për 48 orë dy të dyshuarat për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin në Fushë Kosovë

Janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuara për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, njofton Policia e Kosovws.

Sipas Policisë, të arrestuara janë një 64-vjeçare me inicialet N.M dhe një 56-vjeçare me inicialet N.H. Ato dyshohen për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; • N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe  • ​N. H, femër, 56 vjeç, shtetase  Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë


Avokati i edukatores: Rasti i çerdhes është duke u keqpërdorur nga prindërit

Avokati i një prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, Bajram Zogiani, ka hedhur poshtë akuzat ndaj klientes së tij, ku thuhet se ka përdorur dhunë.

Avokati i edukatores Naime Musa, Zogiani tha se rasti nuk është siç shihet në incizime, sipas tij është hiperbolizuar fillimisht nga mediat e më pas nga familjarët.

Zogiani teksa mohoi akuzat për keqtrajtim, shtoi se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.

“Unë jam avokat i Naime Musa, intervistimi ka zgjat 40 minuta, kjo çështje është duke u zmadhuar së tepërmi, së pari nga mediet e më pastaj nga prindërit”, tha Zogiani.

Ai mes tjerash tha Naime Musa po akuzohet për sjellje jo të mirë, e që sipas tij kjo nuk është e vërtetë.

“Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon që 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore. Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që mos të dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe. Ajo është vetëm një ndalesë e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që mos të dalë nga objekti pasi që ai është në adaptim një mujor, është që 15 ditë i vendosur në çerdhe dhe nuk po e përballon vendosjen në çerdhe. Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, vetëm një ndalesë. Vendimi nuk dihet ende, pritet. Nuk janë as ndaluar as të arrestuar, pritet përgjigjja nga prokurori”, shtoi Zogiani.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Arsimit kanë shkuar sot në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, ku po dyshohet se edukatorët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një 3-vjeçari.


Nëna e 3- vjeçarit në Fushë Kosovë: Drejtësia vlen

Derisa edukatorët e çerdhes së Fushë Kosovës, ende po qëndrojnë në stacionin policor, pasi dyshohen për dhunë ndaj tre vjeçarit, dëshminë e saj, e ka dhënë edhe nëna e viktimës.

Fitore Geci tha se është shumë e stresuar me atë çka i ka ndodh fëmijë së saj.

“Jam mami. Sapo e përfundova deklaratën time në Polici, jam shumë e stresuar emocionalisht. Drejtësia vlen”, tha ajo.

Kurse, avokati i familjes Geci, Nasuf Hasani tha se veprimet e punëtoreve të kopshtit kanë qenë shumë të vrazhda dhe me këtë kanë kryer vepër penale.

“Siç është parë edhe në videot e postuara pa as një mëdyshje se punëtoret e kopshtit kanë kryer vepër penale. Përveç që kanë kryer vepër penale konsideroj që është dashtë ta denoncojnë këtë rast edhe përkundër asaj që drejtoria e kopshtit ka qenë konstruktive në këtë rast. Përkundër asaj që Komuna e Fushë Kosovës paralajmëroj që do të marrin vendim për punonjësit. Vetë veprimet e punonjësve të kopshtit kanë qenë veprime shumë të vrazhda duke e pasur parasysh kategorinë e personave të ndishëm që janë fëmijët. Ne presim nga organet kompetente, përkatësisht Prokuroria të veproj sipas procedurave në fuqi”, tha ai.

Ai ka folur edhe për edukatorët.

“Sa e shikuam ne, janë marrë në intervistë, akoma qëndrojnë këtu në stacionin policor. Në bazë të informacioneve që kemi, provat të cilat i kanë grumbulluar tash duhet t’i dërgojnë në Prokurori dhe prokurori vendos për kufizimin e veprës penale. Për ne nuk është kontestuese, së paku mendojmë që i kanë bërë tre vepra penale dhe në bazë të provave, përkatësisht videot, pa asnjë mëdyshje kanë kryer vepër penale”, tha ai.

Sipas tij, fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë për shkak të hiperaktivitetit të tij që e ka.

“Fëmija ka trauma, sa i përket çerdhes është e pa mundur të vendosin me dërguar. Kur të qetësohet situata, fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë për shkak të hiperaktivitetit të tij që e ka. Nuk kanë qenë veprimet e duhura që të izolohet fëmija nga bashkëmoshatarët e tij. Edhe gjatë natës siç thekson nëna është me trauma, zgjohet natën, nuk do me ia rikujtu bisedat që i kanë pasur rreth kopshtit. Është në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Konsideroj që sipas punëtorëve social tashmë e ka të detyrueshme që t’i nënshtrohet një trajtimi psikologjik për fëmijë sepse është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe. Dhe jo vetëm fëmija por edhe gjithë rrethi familjarë”, tha ai, duke shtuar se drejtoresha e kopshtit ka qenë konstruktive dhe për asnjë moment nuk ka pasur tendencë që të amnistojë dikush nga veprimet.


Haxhiu për rrahjen e 3-vjeçarit në kopsht: Nuk do të tolerohet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3-vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet.

Ajo tha se përderisa organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes.

“Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale. QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla. Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Shërbimeve Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes!”, thuhet në reagimin e Haxhiut.


Paralajmërohet pezullimi i edukatoreve të dyshuara për dhunë

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, ka deklaruar se do t’i pezullojnë edukatoret që dyshohet se u përfshinë në rrahjen e një fëmijë në çerdhen publike “Gëzimi Ynë”.

Sipas tij, edukatoret po intervistohen në Policinë e Kosovës, e pas kësaj, do të pezullohen.

“Nuk jam ekspert ta cilësoj atë si dhunë, por do ta respektojmë ligjin. Si DKA do t’i marrim të gjitha masat. Unë qëndroj prapa organeve kompetente. Nuk i kemi pezulluar këto edukatore, por do të pezullohen…Patjetër do të respektojmë ligjin dhe do t’i pezullojmë edukatorët”, ka thënë Berisha para mediave të martën.

Drejtori i Arsimit ka theksuar se për rastin është njoftuar nga drejtoresha e çerdhes publike.

“DKA-ja është informuar nga drejtoresha e çerdhes…Për hapat në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente. Policia e Kosovës i ka bërë ftesën edukatorëve që dyshohet se janë të përfshira, janë duke u intervistuar akterët që dyshohet se janë në rast. Policia ishte këtu, kanë sekuestruar edhe pajisje të kamerave, për hapa në vazhdim do të jemi në bashkëpunim. Këtu s’ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit”, ka shtuar ai.


KOMF reagon pas rrahjes së 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë Kosovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kanë reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihet duke u rrahur një fëmijë 3-vjeçar në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë.

KOMF u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapat dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit lidhur me këtë rast.

“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. KOMF bën thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla”, thuhet në reagim.


Nagavci: Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë ditës pret raportet dhe se inspektorët e arsimit janë në çerdhen ku dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj një fëmije 3-vjeç.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar. Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, tha ajo.


Policia dhe prokuroria nisin hetimet për rastin e rrahjes së 3-vjeçarit në çerdhe

Një qytetar po pretendon se nipi i tij 3-vjeç është rrahur brutalisht nga mësueset në çerdhen e fëmijëve “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv tha se Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast.

Ajo tha se për detaje të tjera do të njoftojë pasi të përfundon faza fillestare e hetimit.


3-vjeçari rrahet brutalisht nga edukatoret në një çerdhe në Fushë Kosovë

Qytetari Fatos Geci, deklaron se nipi i tij 3-vjeç është rrahur brutalisht nga mësueset në çerdhen e fëmijëve “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa nipi i tij 3-vjeç, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa ka publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë të reagojnë në ndërmarrjen e veprimeve ndaj mësueseve, ndërsa ka theksuar që nipi i tij si pasojë e rrahjes, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar trauma të rënda psikike.

Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe është në pritje të një përgjigjeje./21Media

Back to top button