BE (s)’ka kompetencë të propozojë draft statut për Asociacionin

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk është kompetencë e BE-së që të propozojë draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, nuk mundet BE-ja që t’ia caktojë Qeverisë që atë draft ta dërgojë në Kushtetuese. Ai tha se Kosova e ka obligim vetëm zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Por SHBA ka kërkuar që Qeveria t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim, draft-statuti i Asociacionit të propozuar nga BE.

Bashimi Evropian në tetor të vitit të kaluar ia prezantoi Qeverisë së Kosovës një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kërkesën që me urgjencë të zbatohet. Por që atëherë Qeveria ende nuk e ka dërguar draftin në Gjykatë Kushtetuese edhe pse kryeministri Kurti e pati cilësuar përmbajtjen e tij si të avancuar. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se BE-ja nuk ka kompetencë që të propozojë një draft të tillë.

“BE-ja nuk e ka kompetencë t’i propozojë asociacion Kosovës. Është gabim të mendohet se është kompetencë e BE-së neve veç me na caktua, e kompetencë e jona veç me dërgua në Kushtetuese. Unë nuk mendoj që është kompetencë e BE-së me i propozua draft Kosovës. Nuk mendoj që Kosova duhet të qëndrojë gatitu dhe veç me çu draftin që BE-ja e propozon”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca tha se ka një kushtëzim për themelimin e asociacionit.

“Nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e Ohrit ne nuk do të zbatojmë asociacionin nëse nuk na pëlqen”, ka shtuar ai.

Deklarimet e kryeprlamentarit u bënë një ditë pasi ambasadori SHBA-së, Jeffrey Hovenier, e këshilloi Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit të hartuar prej perëndimit.

“Në këtë mënyrë, Kosova do të përfitonte në mënyrë substanciale. Do të ekzistojë një përgjigje nëse [dokumenti] është kushtetues apo jo, do të dihet a ka kompetenca ekzekutive apo jo, dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim. Diçka e tillë do të krijojë një dinamikë ndryshe dhe do të reflektojë përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet që ka”, ka thënë Hovenier.

SHBA-ja ka shprehur pakënaqësi ndaj Qeverisë Kurti për mos dëgjueshmëri edhe sa i përket çështjes së dinarit. Ambasadori Hovenier, por edhe zyrtar të tjerë amerikan kanë thënë se janë të pakënaqur me cilësinë e partneritetit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se për çështjen e dianrit ka zgjidhje.

“Mospajtimin për dinarin e kemi vetëm në aspektin kohor. Por legalitet i vendimit nuk po kontestohet”, ka deklaruar kryeparlamentari.

Opozita ndërkohë ka kritikuar Qeverinë për prishje të raporteve me aleatët e Kosovës. Përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së thanë se po i bëhet favor Serbisë duke mos i kryer obligimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit, por duke hapur tema që nuk duhet të diskutohen me Serbinë, siç është çështja për dinarin.

“Ngritja e temave të tilla në Bruksel i shkon në favor Serbisë”, ka thënë Abelard Tahiri nga PDK.

“Nuk ka logjikë që për valutën të diskutohet në Bruksel”, ka deklaruar Besnik Tahiri nga AAK.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar që në kuadër të dialogut në Bruksel Kosova dhe Serbia të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e cështjes së dinarit dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore./RTV21/21Media

Back to top button