BE sytë kah Kosova, si duhet të shfrytëzohet ky momentum?

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Po ashtu edhe Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar pro raportit për Kosovën, me të cilin bëhet thirrje për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ditëve të fundit janë shtuar vizitat e liderëve evropian në Kosovë, përmendim kancelari gjerman Olaf Schloz, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe minsitrin e jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.
Të gjitha këto nga analistët politik po shihen si kthim i vëmendjes të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Analisiti, Fidan Ukaj për portalin rtv21.tv thotë se në këtë ka ndikuar edhe lufta Rusi- Ukrainë.
“Pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkan e Kosovë janë shpeshtu vizitat e zyrtareve të lartë të Bashkimit Evropian, e veçanërisht vizita e kancelarit gjerman në Kosovë tregon seriozitetin me të cilin zyrtarët evropianë po i kushtojnë anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, e veçanërisht Gjermania e cila ka lansu edhe procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në konferencën për shtyp në Kosovë – Prishtine Scholz tha se po punon me partneret që Kosovës sa me shpejt t’i hiqen vizat dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet e kriteret për liberalizim të vizave. “, vlerëson Ukaj.
Edhe për analistin, Dorajet Imeri lufta në Ukrainë ka ndikuar që disa nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropain ta kthejnë fokusin ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ndaj Kosovës.
“Një Kosovë më e afruar nga Bashkimin Evropain në kuptimin ose të liberalizmit të vizave ose të përmbylljes së bisedimeve me Serbinë do të thoshte një Ballkan Perëndimor më i qetë dhe më i sigurtë, prandaj në këtë aspekt konsideroj se Bashkimi Evropian e ka kthyer fokusin më shumë ndaj Kosovës dhe Ballkanit duke qenë se në këtë mënyrë mund ta ruante edhe sigurinë e saj të brendshme”, thotë Imeri për portalin rtv21.tv
Kurse, analisti Dritëro Arifi për portalin rtv21.tv deklaron se lufta në Ukrainë në një farë mënyrë i ka hap Evropës mënyrën e të menduarit për çështjen e sigurisë .
“Duhet edhe vet të jenë të zot ta sigurojnë, jo vetëm dikush përtej Atlantikut, kjo është ndoshta pse një Evropë e zgjuar ka shumë interes të madh për rajonin e Ballkanit Perëndimor e specifikisht për rastin e Kosovës.”, thotë Arifi.
Ndërsa, Arifi po e konsideron si hap të vogël, por të rëndësishëm faktin se Parlamenti Evropian ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Por duhet të punohet shumë me shtetet veç e veç që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që të ndërtohet një momentum shumë pozitiv, por edhe shumë i shpejtë sepse ngjarjet po ndodhin me shpejtësi të madhe dhe nuk duhet të hupet ky momentum sepse mandej mund të komplikohen gjërat varësisht nga ajo se çfarë mund të ndodh në konfliktin Rusi- Ukrainë…Ka ende shumë punë për të bërë brenda Bashkimit Evropian që të bindet Serbia që pa njohjen e Kosovës nuk mund të lëvizë ende asgjë…Kjo për mua është një pikënisje shumë e mirë që të gjitha institucionet e BE-së por edhe sidomos vendet skeptike që mund të ketë ndonjë reflektim për ndryshim të vendimit për njohje të Kosovës nga këto pesë vende që se kanë njohur…Po besoj që presioni do të rritet më shumë edhe karshi Serbisë edhe karshi vendeve mosnjohëse . “, thotë Arifi.
Si do të ndikojë e gjithë kjo në përshpejtimin e liberalizmit të vizave për Kosovën?
Analisti, Dorajet Imeri duke potencuar se procesi i liberalizmit është i tejzgjatur për portalin rtv21.tv vlerëson se liberalizmi i vizave do t’i kishte dy efekte të shpejta.
“E para se do ta rriste besimin e Kosovës ndaj Bashkimit Evropain dhe e dyta se do t’i tregonte Serbisë në anën tjetër se Kosova do të vazhdojë të ketë të ardhme Evropiane dhe Serbia nuk do ta ndalojë të duke e penguar në kuptimin e avancimit të statusit të saj politik dhe prandaj një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku të dyja palët do të mund të pajtoheshin sigurisht që do të ishte më e mira jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë dhe në ketë mënyrë pastaj përveç se do të mbyllej një vatër e krizës në Ballkan këto vende do të mund të përfaroheshin më shpejtë drejt Bashkimit Evropian “, thotë ai.
Në anën tjetër analisti, Fidan Ukaj bën thirrje që të shfrytëzohet ky momentum dhe qeveria të reflektojë.
“Institucionet tona siç duket nuk po mbërrin ta shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar në favor të Kosovë duke u marrë me shumë me politika ditore e inate personale ndërpartiake duke mos e shtuar dinamikën e punës në lobim për interesat e Kosovës e duke mos u bërë pjesë e projekteve të rëndësishme të financuar e përkrahura nga aleatët tanë strategjik si SHBA dhe një gjë e tillë na ka penalizuar e do na penalizojë sa herë ne si Kosovë nuk bashkudhëtojmë me aletet tanë strategjik”, thotë Ukaj.
E punë më të madhe në lobim kërkon edhe Arifi.
“Mendoj se çështja e vizave është krijuar një momentum që mund të ketë lëvizje por kjo nuk varet shumë edhe nga qeveria e Kosovës normalisht është mirë që të lobohej çdo ditë jo vetëm njëherë por çdo ditë të krijohen edhe ndoshta grupe që lobojnë për këtë çështje por edhe qeveria e kështu me radhë që të arrihet një momentum se me të vërtetë po krijohet një fotografi se kinse Evropa ka një racizëm të thelluar ndaj kosovarëve, sepse e nëse analizojmë ndoshta jemi në Evropë vendi më i izoluar dhe kjo e tregon dhe një çështje që edhe disa shtete në BE nuk janë serioze karshi premtime apo detyrave që i ka zbërthyer Kosova sa i përket liberalizimit të vizave por nuk janë implementuar dhe nuk janë marrë seriozisht nga vet vendet e Bashkimit Evropian.”, vlerëson Arifi./21Media

Back to top button