BE thotë se vendimi i Qeverisë Kurti për targat s’është në përputhje me marrëveshjet në dialog

Bashkimi Evropian thotë se vendimi i Qeverisë Kurti për targat nuk është në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog, sado që është në drejtim të duhur.
Sipas BE-së, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative.
“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë obliguese për të dyja palët.  Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-muajsh për procesin e largimit të targave, e që nuk është zbatuar. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur.”, u bë e ditur në reagim.
Po ashtu, u theksua se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë.”, u bë e ditur tutje në reagimin e BE-së, me ç’rast u shtua se presin që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me marrëveshjet e dialogut.
Ndërkohë, mbrëmë SHBA është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me vendimin e Qeverisë për targat.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka treguar për vendimin e Qeverisë së Kosovës që vendimi për targat të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime. Siç ka treguar kryeministri Albin Kurti, do të shkohet me përshkallëzim të masave, fillimisht 21 ditë, pastaj çdo dy muaj deri me 21 prill 2023. Pas kësaj date, sipas kryeministrit Kurti, nuk do të lejohen më targa të tjera përveç atyre RKS./21Media

Back to top button