SHBA e zhgënjyer dhe e shqetësuar me Qeverinë e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave.
Sipas tyre, Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Ky reagim pasoi miratimin nga Qeveria e Kosovës të një plani për zbatimin e vendimit për targat.
Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë shkallëzimin e sanksioneve për pronarët e mjeteve me targa ilegale që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS, deri më 31 tetor.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntori deri më 21 nëntor 2022, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, njoftoi kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 103-të të Qeverisë./21Media

Back to top button