BE: Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të tjerat

Bashkimi Evropian e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano i bëri komentet për Radion Evropa e Lirë, pas vendimit të autoriteteve të Serbisë për t’iu ndaluar hyrjen në Serbi boksierëve nga Kosova.
Boksierët kosovarë do të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boskit, që ka nisur në kryeqytetin serb.
Serbia e pengoi shkuarjen e boksierëve kosovarë në fundjavë, për shkak të simboleve shtetërore.
Më 23 tetor, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.
Kampionati nisi në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.
“BE mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër”, tha Stano raporton REL./21Media
Back to top button