Begaj e Haradinaj diskutojnë për një pakt të përbashkët në çështje të sigurisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u takua me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pas takimit, Haradinaj ka thënë se ai dhe Begaj diskutuan për një pakt të përbashkët në mbrojtje dhe çështje të sigurisë.
“Po ashtu kërkuam që shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi të Kosovës. Nga Shqipëria kërkojmë që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshje me Serbinë, për njohje reciproke”, ka thënë ai.
Sa i përket situatës me energjinë në vend, Haradinaj ka kritikuar qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe ka thënë se reduktimet janë si pasojë e siç e quan ai, paaftësisë që kësaj qeverie.
“Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhim i keq i kësaj qeverie, të kesh reduktime në gusht faji dihet ku është, paaftësia e kësaj qeverie. Kemi diskutuar çështjen e hekurudhës Kosovë – Shqipëri, kemi folur për bashkëpunimin në energji. Kemi kërkuar ndihmën e Shqipërisë në politikën e jashtme, veçanërisht të përshpejtohet arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi për njohje reciproke”, ka thënë Haradinaj.
Begaj po qëndron në Kosovë që nga dje, ku dje u takua me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Në agjendën e ditës së sotme, Begaj u takua me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi, tani kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe do të vazhdojë rrugën për në Prizren, ku do të pritet nga i pari i kësaj komunes, Shaqir Totaj.
Begaj do të takohet edhe me partitë minoritare.
Presidenti i Shqipërisë do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it si dhe me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR./21Media

Back to top button