Begaj për marrëveshjen e arritur: Garanci për paqen dhe të ardhmen e rajonit në BE

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur sot arritjen e pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.

Ai ka potencuar se dakordësimi është garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falenderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Back to top button