Bejta porosit Gruevskin – RTV21

Nënkryetari i BDI-së tha se përsëri vendos shumica e deputeteve

Gruevski duhet t’i dëgjojë ndërkombëtarët dhe ta respektojë demokracinë, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Nëvzat Bejta, në emisionin “10 Minuta”.

Sipas tij, edhe po të mbahen zgjedhje të reja, nuk ka parti shqiptare që do të koaliciononte me një strukturë politike anti-shqiptare, siç është VMRO DPMNE-ja.

“Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, VMRO DPMNE mund të ketë rezultate edhe më të dobëta. Përsëri vendos shumica e deputeteve. Unë nuk besoj që ndonjë parti politike shqiptare edhe pas zgjedhjeve të reja do ta ndryshonte mendimin, me një fjalor të tillë të VMRO DPMNE-së”, tha Nevzat Bejta, Nënkryetar i BDI-së.

Lidhur me mundësinë që ministrat e partisë së tij të japin dorëheqje nga qeveria, ai tha se kjo nuk do të kishte asnjë efekt pozitiv në krizën politike, shkruan tv21.tv.

“Një prej mundësive ishte që të japin dorëheqje ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim. Nëse bëhet një gjë e tillë, ne vijmë në kundërshtim me procedurat ligjore të zgjedhjeve të ministrave, sepse ministrat janë zgjedhur në kuvend me vota të deputeteve. Dhe edhe nëse ata japin dorëheqje, përsëri dorëheqja e tyre duhet të votohet në organin i cili i ka zgjedhur”, shtoi Bejta.

Bejta foli edhe për skadimin e mandatit të kryetarëve të komunave, si dhe për funksionimin në të ardhmen, nëse nuk mbahen zgjedhjet lokale./21Media

Back to top button