Opozita: Koalicioni qeverisës po e bllokon ratifikimin e demarkacionit

Partitë opozitare tregojnë qëndrimin e tyre për demarkacionin

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti për Speciale të RTV21, ka thënë se fajtor janë partitë opozitare për mos ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan rtv21.tv

Sipas tij, Qeveria, partitë politike e të gjithë së bashku duhet t’i japin fund dhe pikën kësaj çështje.

“ Kjo ka rëndësinë e vet, meqenëse bëhet fjalë edhe për një kriter që ka të bëjë me liberalizimin e vizave.  Mendojë që çështja e demarkacionit është trajtuar keq, është prezantuar keq në opinion, tashmë duhet ta dimë që bëhet fjalë për kufijtë me NATO-në, Mali i Zi shumë shpejt do të jetë pjesë e NATO-së, andaj është fjala për një proces ku ne duhet të hyjmë të zgjerohemi, kufijtë tanë dhe  të NATO-së të jenë jo aty po diku tjetër”, ka thënë Pajaziti.

Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e tri partive opozitare. Thonë se koalicioni qeverisës po e bllokon ratifikimin e demarkacionit pasi që ju mungojnë votat.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se fjalët që demarkacioni do të vjen në Kuvend janë dëgjuar edhe muajt e kaluar.

“Çështja e demarkacionit edhe është banalizuar, pasi këta që nga janari çdo muaj kanë thënë se do ta sjellin në Kuvend të Republikës së Kosovës”, është shprehur Konjufca.

Ai tha se vetë fakti që demarkacioni qe një vit e gjysmë është temë në Kosovë dhe për të cilën Qeveria nuk i ka numrat, tregon se çfarë demokracie kemi ne.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e partisë për demarkacionin.

“Ne mendojmë që urgjentisht duhet të ulemi me Malin e Zi dhe ta ri negociojmë. Mendojë që shkaktari kujdestar është pikërisht Qeveria e Kosovës, e cila po i krijon dëme të një pas njëshme sikurse demarkacionin, kjo qeveri nuk e zgjidhë më këtë problem, kjo qeveri duhet me shku”, tha Haradinaj.

Për deputeten e Nisma, Valdete Bajramin, pozita do të duhej moti t’i kryente detyrimet për të cilat edhe janë zotuar.

Sipas saj, për faktin se demarkacioni po zvarritet qe një vit e gjysmë nëpër kuvend, përgjegjësia është e dy partive më të mëdha në pushtet./21Media      

 

Back to top button