Bekteshi akuza Komunës së Manastirit: “Ka manipuluar me ndriçimin publik” – nga Komuna mohojnë

Ndriçimi publik sipas ligjit është obligim i secilës komunë, por mbrëmë ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi tha se Komuna e Manastirit ka marrë vendim me të cilin gjoja ia kanë dorëzuar obligimin një kompanie të re e cila nuk ka 50 punëtorë dhe në këtë mënyrë të paguajë çmimin e energjisë elektrike e cila është e targetuar kryesisht për amvisëritë.
Komuna e Manastirit nuk pajtohet me këto pretendime të ministrit Bekteshi. Nga atje në përgjigje për TV21 thonë se “ministri duhet ta dijë se kjo kompani publike tashmë është në tregun e rregulluar dhe paguan për ndriçimin e rrugëve në zonën e Zhabenit, që do të thotë se është e regjistruar ligjërisht sipas Ligjit për Energjetikë dhe rrjedhimisht vjen mundësia për të menaxhuar ndriçimin publik në territorin e Komunës së Manastirit dhe ish-komunave Bistricës, Capari dhe Kukureçani, por për të cilat EVN nuk ka pranuar ndryshimin e përdoruesit, përgjigje duhet të kërkohet nga EVN dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
“Akuzat janë krejtësisht të pasakta dhe në të njëjtën kohë është shumë joserioze që një ministër në Qeveri të paraqesë spekulime dhe informacione të pa verifikuara. Ajo që është e vërtetë është se Komuna e Manastirit paguan çmim shumë të lartë për rrymën dhe vetëm fatura e fundit është afër 10 milionë denarë dhe për shkak të paaftësisë së plotë të Qeverisë për të menaxhuar krizën energjetike”- deklaruan nga Komuna e Manastirit për TV21.
Në dokumentin të cilin e siguroi TV21 shihet vendimi me të cilin Komuna e Manastirit obligimin e ndriçimit publik ia ka transferuar kompanisë së re JP SIZ ZHabani.

Back to top button