Bellwether teston veturën fluturuese të së ardhmes në Dubai

2 min read

 

Në Dubai u testua vetura fluturuese e së ardhmes, e disajnuar për fluturime brenda qytetit.

Shpejtësia e kësaj veture gjatë fluturimit arrin në 217 km në orë, ndërkaq lartësia që arrin është mbi 900 metra. Vetura fluturuese e së ardhmes u testua për fluturim në Dubai, ndërkaq ajo është prodhim i kompanisë londineze Bellwether.

Vetura e Bellwether është prototip i Volar eVTOL. Ajo u disajnua për pronarë privat, për të zëvendësuar veturat në Tokë, këtë me qëllim të lirimit të hapësirës për çiklistë e këmbësorë, por ajo mund të shfrytëzohet edhe për transport, si vetura fluturuese Uber.

Kompania Bellwether planifikon që në vitin 2023 të testojë edhe prototipin që funksionin në shkallë të plotë të lartësisë dhe shpejtësisë. Modeli i fundit për transport, pritet të testohet në vitin 2028 e në vitin 2030 për pronarë privat. Këto vetura do t’ia mundësojnë atyre të fluturojnë deri në vendin e punës në mënyrë shumë komode dhe të shpejtë.

Kjo kompani në një deklaratë ka thënë se beson se udhëtimi me vetura fluturuese nëpër ajër do të mundësohet brenda 10 vitesh.

Bellwether ka thënë se vetura e tyre është e para në botë pa krahë të mëdhenj, apo tehe, gjë që e bën ideale për shfrytëzim.

Ky testim në Dubai demonstron se vetura ka stabilitet dhe kontroll të plotë, dhe shënon fillimin e një serie zhvillimi projektesh të tjera.

Vetura fluturuese e Bellwether, është elektrike dhe ajo mbushet me bateri si çdo mjet tjetër eleketrik.

Vetura prototip ka vetëm dy ulëse, por vetura e re ka katër deri në pesë ulëse.

Sa i përket çmimit për këtë veturë, kompania nuk ka zbuluar shumën.

Vetura të tilla janë duke zhvilluar edhe vende të tjera.

Zyrtarët në Paris shpresojnë që gjatë lojërave Olimpike 2024 të organizojnë transportin e sportistëve me vetura-taksi fluturuese. E Korea e Jugut ka në plan që të ndërtojë taksi elektrik ajror me pesë ulëse, të cilët shpreson se do të fillojnë udhëtimet nëpër qiell në vitin 2028.