Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit, Ambasada e Britanisë: Ishte befasues

Ambasada e Britanisë në Kosovë sot ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili ka shpallur konkurs për Kryeprokuror të Shtetit.
Ambasada Britanike ka theksuar se ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe se së fundmi, kanë ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor.”, është bërë e ditur në reagim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dje ka informuar se anëtarët e këtij këshilli kanë marrë vendim për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas KPK-së, ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.
Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.
Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit do të shpallet më 17 janar 2022 dhe do të jetë i hapur 15 ditë nga dita e shpalljes./21Media
May be an image of text

Back to top button