Beograd: Vuçiq u takua me Escobarin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sonte në Beograd është takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe ka deklaruar se po zhvillon bisedime të rëndësishme me të.
“Bisedime të rëndësishme me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit Gabriel Escobar”, ka postuar Vuçiq në Instagram me një foto nga takimi.
Pas takimit me Escobarin, i cili është edhe i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Vuçiq do të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.
Pas takimeve të ndara do të vijojë takimi trepalësh i Vuçiqit, Lajçakut dhe Eskobarit.
Lajçak dhe Escobar kanë mbërritur sot në Beograd nga Prishtina.
Në fund të vizitës dyditore në Prishtinë, ata iu bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe ritheksuan se Brukseli dhe Uashingtoni nuk imponojnë zgjidhje.