Beqaj paralajmëron hapjen e fondit për ndërmarrësi në Prizren

Gjatë hapjes së edicionit të katërt të panairit “Forumi i bizneseve në Prizren”

Qeveria e Kosovës është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve që lidhen me bizneset dhe përmirësimin e klimës së biznesit, me qëllim të uljes së deficitit tregtar dhe të mundësohet rritja e qëndrueshme ekonomike.

Kështu është thënë në hapjen e edicionit të katërt të panairit “Forumi i bizneseve në Prizren”, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore.

Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bajram Hasani, u shpreh i bindur që ky organizim do të hapë rrugë të reja për zhvillim ekonomik.

“E gjithë kjo po bëhet që ta përkrahim sektorin privat që të ulet deficiti tregtar dhe të mundësohet rritja e qëndrueshme ekonomike. Krijimi i zonave ekonomike, lehtësimi në financa, përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, janë disa nga planet që MTI ka për zhvillim ekonomik. Jemi të fokusuar edhe në zhvillimin e prodhimeve vendore dhe jemi duke i shqyrtuar mundësitë për disa ndryshime ligjore. Ju siguroj që gjatë vitit 2018 do t’i bëjmë këto ndryshime ligjore për të mbrojtur dhe zhvilluar prodhimet vendore”, tha ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se kjo ngjarje është ndër me të spikatura për promovimin e prodhimeve vendore dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

“Mbetet përkushtim i yni qeveritar që të krijohet ambient i përshtatshëm për organizime të tilla që kanë qëllim zhvillimin ekonomik. Ngjarjet e tilla, ku promovohet edhe turizmi, do ta kenë mbështetjen e ministrisë së kulturës, rinisë dhe sportit”, tha Gashi.

Ndërkaq, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se kjo ministri ka mbi 10 milionë euro buxhet dhe mbi 9 milionë i janë kushtuar sektorit privat.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka qëllim përgatitjen e gjeneratave të reja që kanë ide për ndërmarrësi dhe ide inovative. Qeveria e Kosovës ka dhënë përkrahje për sektorin privat, i cili prodhon vende të reja të punës në bazë të kapaciteteve prodhuese. Vendimin e parë si ministër do të jetë hapja e fondit për ndërmarrësi dhe inovacion në Prizren dhe do të jetësohen në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Beqaj.

Nënkryetari e Prizrenit, Lulzim Kabashi, tha se panairi do të stimulojë zhvillimin ekonomik në Prizren dhe si i tillë ai do të ketë mbështetjen edhe të qeverisjes lokale.
Të pranishëm në këtë panair ishin edhe përfaqësues nga Oda e Ekonomisë së Maqedonisë dhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës.

Ndryshe, në panairin “Business Forum Prizren” po marrin pjesë rreth 140 firma nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Italia, Norvegjia, Belgjika etj. Ky panair, i cili po mbahet në sallën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren, do të zgjatë deri më datën 29 tetor.

Back to top button