Lluka: Raportet e Ndërmarrjeve Publike janë tmerruese

Gjatë këtij takimi janë marrë disa vendime

Komisioni Ndërministror për ndërmarrje publike me përbërjen e re nën udhëheqjen e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mbajtur takimin e parë, ku janë shqyrtuar dhe janë marrë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me këto ndërmarrje.

Në këtë takim Komisionit Ministror për Ndërmarrjet Publike aprovoi: Raportet e Ndërmarrjeve Publike për vitet 2015 dhe 2016, ndryshimin e emrit të KRU Radoniqi në Gjakovë në KRU Gjakova dhe krijimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Qendrat Multifunksionale” SHA në Mitrovicë.

Ministri i Zhvillimit ekonomik në cilësinë e kryesuesit të këtij Komisioni është shprehur i pakënaqur me performancën e tyre. “Raportet e Ndërmarrjeve Publike janë tmerruese për të cilat do të bisedoj në ditët në vijim!”, ka shkruar Lluka në një postim në “Facebook”.

Në takimin e Komisionit Ndërministror për Ndërmarrjet Publike pjesëmarrës ishin, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe Zëvendësministri i Financave Mustafë Grainca./21Media

Back to top button