Modernizimi i doganës pritet të lehtësojë tregtinë

Udhëheqësi  i Odës amerikane theksoi se gjatë viteve të fundit ka pasur progres të madh në doganë

Nën organizimin e Departamentit amerikan për tregti dhe të përkrahur nga Ambasada amerikane në Prishtinë është duke u mbajtur trajnimi dy ditor për konceptin e Operatorëve ekonomik të autorizuar.

Përveç Doganës së Kosovës në këtë trajnim janë duke marrë pjesë edhe Oda Amerikane në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e bizneseve Kosovare.

Përfaqësuesja e Ambasadës amerikane, Megan Naylor tha se Qeveria e SHBA është e përkushtuar në përkrahjen e institucioneve të Kosovës. “Edhe ky trajnim tregon qartë angazhimin tonë në ndërtimin e institucioneve dhe ndihmë për zhvillimin e biznesin”, tha ajo.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Bahri Berisha se modernizimi i doganës dhe harmonizimi me standardet ndërkombëtare paraqesin një objektiv kryesor në drejtim të lehtësimit të tregtisë.

“Koncepti i operatorëve ekonomik të autorizuar ofron partneritet në mes të doganës dhe tregtarëve duke iu lejuar operatorëve ekonomikë të lehtësira.  Megjithatë, teksa ne jemi në hapat e fillestar  konsiderojmë se ende ekzistojnë disa çështje në lidhje me OAE, andaj edhe ky trajnim është në përputhje me objektivat e përgjithshëm të doganës”, ka thënë ai.

Udhëheqësi  i Odës amerikane, Arian Zeka theksoi se gjatë viteve të fundit ka pasur progres të madh në doganë. “Mbështetja e Departamentit Amerikan për tregti besoj se duhet të zgjerohet edhe tek gjykatat me theks të veçantë te çështjet fiskale”, tha ai.

Ndryshe, ky është trajnimi i gjashtë që organizohet me mbështetje nga ambasada amerikane dhe Departamenti amerikan për tregti.

Back to top button