Berisha për Samitin: Nesër me liderët e BE ulet dhunuesi i votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me banorët e Degës 2 në Tiranë foli për samitin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor.
Ai tha se bashkë me liderët e BE-së nesër ulet një njeri, karrigia e të cilit qëndron mbi dhunimin e votës, sipas tij, duke iu referuar vjedhjes së zgjedhjeve nga kryeministri Edi Rama.
“Nesër në Tiranë janë mbi 1 mijë gazetarë, shtetarët më të lartë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Normalisht si parti që kemi përmbysur diktaturën komuniste, lokomotivë e proceseve integruese, që kemi integruar Shqipërinë në Këshillin e Europës, NATO, kemi firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-asociim, kemi hequr vizat, kemi marrë rekomandimin për statusin e vendit kandidat, ne duhet të ishim të gjithë në festë.Por nesër ne nuk mund të jemi, ajo është protestë nuk është festë. Duhet të jemi të sinqertë me miqtë tanë me gjithë dëshirën që kemi ne.Aty bashkë me ta ulet një njeri, karrigia e të cilit qëndron mbi dhunimin e votës tuaj. Mbi vjedhjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Qëndron një njeri i cili ka shndërruar shtetin në një makineri elektorale gjigante, kryekëput antidemokratike, qëndron njeriu i cili përdor qindra milionë euro për të blerë votat, përdor bandat dhe vendosi në fund sistemin e pratronazhistëve. Kjo do të mjaftonte që ne të ishim të gjithë në rrugë”, deklaroi Berisha.
Berisha tha se ata që mikëpresin samitin e kanë harruar atë dhe po merren me protestën e opozitës.
“Mjafton të hidhni sytë në një kohë kur ne japim imazhet e qytetarëve që votojnë, imazhet e krahut tjetër janë tonelatat e kokainës, dëshmitë për porosi vrasjes nga eksponentë kryesorë të partisë së shpellës. Janë pra një botë krejtësisht tjetër në të cilën ekziston krimi, droga, vesi, intriga, çdo gjë, por jo vullneti i anëtarëve të saj, jo vota e lirë, jo dinjiteti i anëtarëve të saj. Ne do të vazhdojmë, do të udhëheqim me shembullin tonë, në mënyrë që të bindim çdo shqiptar që të ardhme pa votën nuk ka. Por sot këtu jemi mbledhur për një eveniment tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, për protestën e nesërme në ora 12:00, për të cilën po bëhet një betejë e madhe mediatike, aq sa edhe ata që mikëpresin samitin, këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për shqiptarët, kanë harruar samitin, dhe merren me protestën tonë. Në thellësi, po ta marrësh, në fakt ata kanë frikë samitin, Europën, vlerat e saj. Të ngujuar tashmë në kodin e mafias, praktikat e mafias, ata çdo lloj drite i tmerron. Ndaj dhe po të keni vënë re ju, ai që mund ta quajmë me plot gojë kryeministri mafioz i shqiptarëve, hajduti i parë i Shqipërisë, ai e ka humbur toruan dhe vetëm merret me postblloqe dhe informacione se këtë rrugë po e bllokojmë, atë rrugë s’do e lejojmë, atë shesh do e bllokojmë, etj., etj”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama ka 4 ditë që bën gjithçka për të sabotuar protestën e thirrur nga opozita.
“Ky armik i egër i votës, lirisë dhe qenies së shqiptarëve, ka 4 ditë që bën gjithçka për të sabotuar protestën tonë. Njëherë informoi zyrtarisht shkollat se nuk do të ketë shkollë ditën e samitit. Informoi të nesërmen administratën se është ditë pushimi. I riktheu të gjitha se e pa se ata do të derdheshin në shesh kundër qeverisë. Tani, njëlloj sikur të ishte vendi i sulmuar nga të 4 anët njofton se ky aks rrugor, kjo autostadë, apo ajo autostradë do të mbyllet. Unë jam këtu për tu bërë thirrje shqiptarëve, nga Konispoli në Tropojë. Për ti përshëndetur se mijëra e mijëra kanë hyrë në Tiranë sot paradite dhe gjatë pasdites. Por edhe të tjerët të lënë çdo gjë e të nisen drejt Tiranës. Të trokasin kurdo që të vijnë në çdo derë demokrati, bujrëm mirë se të vini, nesër së bashku në protestë. Ta marrë vesh bota, se ne nuk nënshtrohemi, se ne jemi njerëz të lirë, të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin tonë dhe për ti treguar Europës dhe botës së ky regjim monist nuk ka kod tjetër përveç kodit të mafias, vjedhjes, plaçkitjes dhe të dhunës. Ndaj dhe këto orë që na ndajnë, që presim me padurim protestën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ne nuk kërcënojmë në asnjë rast, rrethanë sigurinë e miqve që kanë ardhur në Shqipëri. Përkundrazi kërcënim mafioz për çdo gjë janë klanet e Ramës dhe vetë ai”, deklaroi Berisha./oranews

Back to top button