Berisha: Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet

Nga foltorja e ngritur në sheshin para Kryeministrisë së Shqipërisë ku opozita prej më shumë se një ore po mban protestën e radhës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se largimi i kësaj qeverie, është një mision për t’u përmbushur përmes këtij revolucioni që sapo ka nisur.
Berisha iu drejtua protestuesve duke u shprehur se Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet, por tha ai ne do ta përjashtojmë atë nga Shqipëria!
“Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian. Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni. Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria!. Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve. Ndaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje çdo të riu: bashkohuni me këtë revolucion. Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet e të rinjve, guximi i të rinjve, i bën ata të pathyeshëm para asgjëje. Luftoni për veten, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj”, u shpreh Berisha.
Ai tha se revolucioni i opozitës ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë./oranews