“Berisha, Shala, Zherka e Vula dhanë kontribut të pakrahasueshëm në luftën e UÇK-së”

 

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka kujtuar dëshmorët Bekim Berishën, Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën në  22 vjetorin e rënies së tyre.

Thaçi ka shkruar në facebook se kontributi i trimave tanë për t’ia ndalur hovin regjimit të Millosheviqit, në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, ishte çdoherë i lartë.

“Disa prej këtyre trimave, që i luftuan heroikisht forcat policore dhe ushtarake të Serbisë ishin edhe Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Bekim Berisha luftoi në Kroaci e Bosnje dhe padyshim që gjaku i tij shqiptar nuk e linte asnjëherë që të mos i bashkohej radhëve të UÇK-së dhe luftës sonë të drejtë për çlirimin e Kosovës. Me guximin dhe përvojën e tij luftarake, “Abeja” dha kontribut të madh për ta shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e regjimit serb për një Serbi të Madhe një etnike. Meritat dhe heroizmin e tij i vlerëson lart edhe shteti i Kroacisë.”, ka shkruar Presidenti.

Thaçi më tutje ka shtuar se sot 22 vjet vendi ka humbur disa prej luftëtarëve më të zotët, por, “rënia heroike e tyre vetëm sa e rriti moralin dhe motivimin e ushtarëve të UÇK-së, për ta vazhduar rezistencën e armatosur deri në çlirimin e atdheut.”.

“Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula dhanë kontribut të pakrahasueshëm në luftën e UÇK-së, deri sa ranë heroikisht 22 vjet më parë, më 10 gusht 1998, kur iu bashkuan përjetësisht dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës.”, ka shkruar më tutje Thaçi në facebook./21Media

Back to top button