Berisha vazhdon karrierën në Tajlandë, pritet në takim lamtumirës nga krerët e FVK-së

Kampioni i Superligës dhe Kupës së Kosovës me Pejën nga sezoni i kaluar, Adriatik Berisha është pritur në një takim lamtumirës nga krerët e Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Berisha, i cili karrierën si volejbollist e nisi në Suharekë, ka nënshkruar me kampionin aktual të Superligës së volejbollit në Tajlandë, ekipin Diamond Food Volleyball Club.
25-vjeçari, i lindur në Suharekë, do të jetë pjesë e Diamond Food për sezonin e ardhshëm, derisa do të marrë pjesë edhe në Kampionatin Aziatik të volejbollit, i cili do të mbahet në maj të vitit 2023, në Bahrein.
Presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi, i kanë uruar suksese Berishës në aventurën e re, derisa e kanë falënderuar për kontributin dhe shtimin e vlerave të volejbollit kosovar ndër vite.
“Dua të falënderoj krerët e FVK-së që më ftuan në takimin e sotëm përshëndetës dhe për mbështetjen e dhënë. Falënderoj familjen time dhe të gjithë ata që më kanë qëndruar afër përgjatë karrierës time deri tani dhe që vazhdojnë të më mbështesin ende në çdo hap. Dua të falënderoj veçanërisht ikonën e volejbollit shqiptar, Gazmend Husaj që e bëri të mundur këtë mundësi profesionale për mua. Kjo është një mundësi shumë e mirë për avansim në karrierën time profesionale dhe shpresoj ta përfaqësojë denjësisht volejbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Berisha pas takimit./21Media

Back to top button