Mehaj kërkon në SHBA blerje të shpejtë të armatimit për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës të Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, Douglas R.Bush, është diskutuar për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës për armatime.
Mehaj ka thënë se në takimin në SHBA, është diskutuar edhe për përshpejtim të procedurave të prokurimit për blerje të armatimit dhe për rëndësinë e rritjes së trajnimeve.
“Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisjet më moderne ushtarake është synimi ynë, andaj edhe gjatë takimit me ushtruesin e detyrës të Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Douglas R. Bush, diskutuam rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Mehaj ka shtuar se Bushin e ka njoftuar edhe për përgatitjet e FSK-së për ushtrimin “Defender 23” ku do të marrë pjesë me mbi 1.300 ushtarë.
“FSK-ja është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake, dhe po ashtu është gjithmonë e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse dhe humanitare përkrah aleatëve tanë”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button