​Bërnabiq: Oliver Ivanoviqin nuk e vranë serbët

Të hënën janë bërë 5 vjet që kur politikani serb Oliver Ivanoviq është vrarë. Pavarësisht se në lidhje me këtë çështje ka një proces gjyqësor, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se këtë nuk e kanë bërë persona të nacionalitetit serb.
Ajo tha se nuk do të ndalen së punuari deri të sillen para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ata që e vranë Ivanoviqin.
“Lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dua të përsëris se ne me të vërtetë edhe këtë vit nuk do të pushojmë derisa urdhërdhënësit dhe akterët të dalin para drejtësisë, se do të punojmë mbi këtë çështje, do të insistojmë që të ndodhë, por për fat të keq pasi është bërë në territorin e Kosovës. Ne kemi nevojë absolutisht për informacion nga të gjithë ata akterë ndërkombëtarë që merren me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe rendit juridik në territorin e Kosovës. Para së gjithash, mendoj për EULEX-in, po mendoj edhe për UNMIK-un, por në këtë moment edhe institucionet e Prishtinës, organet e përkohshme që janë përgjegjëse dhe kompetente për t’i gjetur të gjithë ata që e kanë kryer këtë krim të rëndë”, tha ajo.
Duke qenë se vrasja e rëndë ka ndodhur në Republikën e Kosovës, Bërnabiq tha se Serbia i ka kapacitetet e kufizuara në këtë çështje. Mirëpo, japi argumentet e saj se pse mendon që vrasësit e Ivanoviqit nuk janë serbë.
“Dhe do të them edhe një herë sot, jam e bindur për atë që po them, se nëse do të ishte ndonjë anëtarë i nacionalitetit serb i përshirë, ose nëse ndonjëri nga Serbia qendrore do të ishte i përfshirë në këtë krim, nëse do të kishin ekzistuar provat deri më tani do të ishte sjellë para drejtësisë disa herë deri më tani. Pra, fakti që as urdhërdhënësi po as vrasësi nuk janë gjetur, për mua tregon se ata nuk janë të nacionalitetit serb ose besoj se Prishtina mezi do të priste që t’i sillnim para drejtësisë dhe t’i akuzonim. Vetëm po të ishin të nacionalitetit serb”, tha ajo.
Aktualisht, procesi gjyqësor për të zbardhur vrasjen e Ivanoviqit po vazhdon. Prokuroria ka ngritur tri aktakuza për vrasjen ndajNedelko Spasojeviqit (ish-oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (ish-oficer policie), Zharko Jovanoviqit (ish-oficer policie) dhe Rade Basaras (ish-oficer policie).
Mirëpo, me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).
Në tetor është arrestuar edhe një person i nacionalitetit serb nën dyshimin si anëtar i një grupi që dyshohet se kanë vrarë Ivanoviqin. Gjatë procesit gjyqësor tre dëhsmitarë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë./KP

Back to top button